Category Page: Kulturore

U mbajt në Stamboll takimi për themelimin e Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame, pjesëmarrës dhe ALSAR-i

Botues të literaturës islame nga 30 shtete të botës, mes tyre dhe nga Shqipëria, u mblodhën në Stamboll për themelimin e një unioni dhe për mbajtjen e simpoziumit të parë. Pas një pune përgatitore njëvjeçare, takimi u mbajt më 18-19 shtator në Universitetin “Sabahattin Zaim” (İZÜ, İstanbul Sabahattin Zaim Üniversitesi). Mbështetje për mbajtjen e takimit themelues dhe simpoziumit dhanë Ministria e Kulturës dhe Turizmit e vendit pritës, Grupi Albayrak dhe TİKA.

Fondacionin ALSAR, si një botues me rritje të shpejtë e me ndikim të shtuar, dhe si të vetmin pjesëmarrës nga Shqipëria, e përfaqësoi në këtë takim themelues kryetari i tij, z. Mehdi Gurra.

Punimet e simpoziumit përgjatë dy ditëve u përshkuan nga diskutimet mbi gjendjen dhe nivelin ku gjenden sot në botë botimet e literaturës islame dhe mbi të ardhmen e tyre. Lufta ndaj islamofobisë dhe projektet e përbashkëta të botuesve patën kohën dhe vendin e tyre po ashtu në diskutime. Njëkohësisht u bë dhe zgjedhja e organeve drejtuese të Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame.

Në ditën e parë të punimeve u lexuan përshëndetjet e kryetarit të Parlamentit të Turqisë, z. Mustafa Şentop, dhe të zëdhënësit të Presidencës së Republikës së Turqisë, prof. dr. İbrahim Kalın. Temë e trajtuar në sesionin e parë të simpoziumit, të drejtuar nga dr. Adnan Ismaili, drejtor i Shtëpisë Botuese Logos-A, me qendër në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, ishte, “Roli i sektorit botues në luftën ndërkombëtare kundër islamofobisë”. Objektivat e Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame, projektet e përbashkëta, mënyra e veprimit dhe struktura administruese e unionit, ishin çështje të diskutuara në tre sesionet në vazhdim. Diskutimet mbi statutin, zgjedhja e anëtarëve të bordit dhe përvijimi i ecurisë së veprimit u bënë në ditën e dytë.

Në fjalën e tij në punimet e simpoziumit, kryetari i Fondacionit ALSAR shprehu kënaqësinë për krijimin e një unioni të tillë që do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave, ndërveprimit dhe koordinimit të veprimtarisë botuese të literaturës islame. Z. Gurra vuri në dukje rëndësinë e vështrimit perspektiv, të analizimit të kujdesshëm të zhvillimeve në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, veçanërisht në fushën teknologjike, për t’iu përgjigjur si duhet atyre. Ai propozoi mbajtjen çdo vit të një takimi me radhë në një prej vendeve të përfaqësuara në union. Tjetër propozim i tij ishte botimi në shumë gjuhë, posaçërisht në ato të pjesëmarrësve në union, i botimeve përmbledhëse mbi historinë islame të vendeve të përfaqësuara aty.

Botuesit nga Ballkani u vendos t’i përfaqësojë në kryesinë e unionit drejtori i Shtëpisë Botuese Logos-A, z. Adnan Ismaili, i zgjedhur dhe anëtar bordi. Detyra e kryetarit të bordit drejtues të Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame iu dha rektorit të Universitetit “Sabahattin Zaim”, prof. dr. Mehmet Bulut.

Mbledhja e botuesve të literaturës islame në botë nën një strehë të përbashkët synon t’i japë hov bashkëpunimit në rritjen sasiore dhe cilësore të aktivitetit botues, të ndihmojë që literatura islame të arrijë më lehtë te lexuesi anembanë botës, të mbështesë kërkimin shkencor në fushën islame, dhe të rrisë nivelin e botuesve në këtë lëmë.

[rev_slider slidertitle=”postim stamboll” alias=”postim-stamboll”]

Botimet e ALSAR-it në panairin e librit në Shkup

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është hapur prej ditësh panairi i librit për këtë vit. Mbi 60 shtëpi botuese i paraqesin botimet e tyre në një hapësirë të rezervuar për to pranë Akuaparkut prej 8 deri më 14 shtator.

Paraqitje po u bën në këtë panair botimeve të veta dhe Fondacioni ALSAR, me një shumësi titujsh që i tërheqin vizitorët për t’i parë nga afër. Interesi është i dukshëm për të mësuar më shumë mbi botimet dhe për të blerë prej tyre.

“Safahat”-i i Mehmet Akif Ersoy-it, “Mendimi politik dhe shoqëror në Lindjen e Mesme bashkëkohore”, “Sfidat ndaj muslimanëve”, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, “Nexhmetin Erbakan”, “Adresa e mbijetesës”, “Fjalorët e shqipes me turqishten”, janë mes botimeve të paraqitura në panair, si përmbledhje e një pune botuese shumëvjeçare.

Botimet e ALSAR-it kanë njohur rritje në vite dhe janë gjithmonë e më shumë të pranishme në panaire librash. Nëse dikur numëroheshin me gishtat e dorës, tani numri i tyre ka kaluar nga dhjetëra në qindra. Në sy bien botimet anastatike, tituj të nxjerrë nga harresa, ribotime veprash të kërkuara, etj.

ALSAR synon ta zgjerojë akoma më tepër gamën e titujve të botuar dhe të imponohet në tregun e botimeve në shqip me veçantinë e tyre dhe me cilësinë e botimeve. Shumë prej botimeve të ALSAR-it janë tanimë referencë për studiues të fushave të ndryshme, kryesisht të historisë dhe kulturës.

Botimet “ALSAR” paraqiten kështu me dinjitet në panairin e Shkupit të 2021-shit, në festën e librit, siç kanë bërë dhe në panaire të tjera.

Jeta e Pejgamberit tonë rrëfyer për të vegjlit, “Udhëtimi i shenjtë”

Fondacioni ALSAR u ka kushtuar një botim fëmijëve, që u tregon atyre për jetën e të Dërguarit të Zotit, Profetit të fundit në tokë.

“Udhëtimi i shenjtë – Jeta e Pejgamberit tonë, Hz. Muhammedit (s.a.v.)” është i shkruar mbi një temë të shtjelluar së tepërmi, por me një stil të thjeshtë e të përshtatshëm për fëmijët.

Shumë mund të mësojnë ata në faqet e këtij libri mbi pejgamberët, mbi Gadishullin Arabik, mbi organizimin e jetës në të para ardhjes së Islamit, për kohën e xhahilijetit, etj. Pejgamberi ynë zë sigurisht vend kryesor në libër; historia e jetës së tij është historia e hedhjes rrënjë dhe e përhapjes së fesë islame.

“Kur njerëzit të njohin pejgamberin e tyre”, thuhet në libër, “do të gjejnë kuptimin e jetës.”

Ky libër për fëmijë është botimi më i fundit i Fondacionit ALSAR.

Vijojnë botimet tona: një libër mbi alkiminë e shpirtit në epokën e tejmodernizmit nga studiuesi Nexhat Ibrahimi

Produkt i aktivitetit botues të Fondacionit ALSAR në këto ditë përcëlluese gushti, ku thuajse gjithçka ka ndalur, por jo ai, është dhe libri i një studiuesi të mirënjohur të përtej kufirit e që meriton respekt pa kufi për punën e palodhur krijuese.

Kontribues këmbëngulës në pasurimin e kulturës islame shqiptare, i pandalur në të shkruar, autor i dhjetëra librave të botuar, studiuesi Nexhat Ibrahimi i paraqitet libërdashësit shqiptar me një tjetër vepër.

“Alkimia e shpirtit në epokën e tejmodernizmit” sapo e ka parë dritën e botimit dhe shpejt do të jetë në duart e lexuesve.

I mbushur me referenca kur’anore dhe me poshtëshënime, libri luan rol dëftues, përkujtues, këshillues. Si në rastin, për shembull, kur trajtohet “fjala”: “Frytet e fjalës së sinqertë, fjalës së mirë, fjalës së butë, fjalës së ëmbël, fjalës së respektit, dhe pasojat e fjalës së rrejshme, fjalës së keqe, fjalës shpifëse, kanë përfundime të ndryshme. Fjala e sinqertë çon në xhenet, kurse fjala e rrejshme çon në xhehenem” (fq. 31).

Nxitur nga ajete të Kur’anit në shtjellimin e idesë së tij për veprën, autori nënvizon, mes rreshtash, se, “Muslimani e ka për detyrë të jetë në anën e atyre fjalët dhe veprat e të cilëve janë korrekte. Të tillë ka mjaft në mesin e atyre që njohim dhe në mesin e atyre që nuk njohim, të afërm e të largët, të pasur e të varfër, zejtarë, bujq, meshkuj e femra” (fq. 173).

Në një tjetër rast, në një tjetër faqe dhe mbi një tjetër temë, por brenda së njëjtës strukturë mendimi, në vëmendje është edukimi. “Mirëpo, edukimi islam i fëmijëve duhet të jetë i hershëm, që nënkupton, edukimi duhet të jetë i pranishëm te prindërit e fëmijës së porsaardhur” (fq. 248).

Libri do ta bëjë menjëherë për vete lexuesin me lëndën e vet tërheqëse, pjesëza të së cilës i cituam pikërisht për këtë. Përtej titullit filozofik, leximi do (duhet) të rrjedhë i pandërprerë.

Nexhat Ibrahimi është në fushën e tij studimore dhe krijuese me këtë vepër, ndërsa e veçanta e librit është botimi nga Fondacioni ALSAR.

ALSAR nxjerr nga shtypi një titull të ri, “Horizonte etnokulturore”

Etnokultura shqiptare është temë e botimit më të ri të Fondacionit ALSAR.

I dalë tani nga shtypi, “Horizonte etnokulturore” ka për autor prof. dr. Ramazan H. Bogdanin, “Mjeshtër i Madh”.

Vepra është përmbledhje e punës së gjatë studimore së shkruesit të saj, e aktivitetit intensiv në art dhe shkencë.

Etnokultura dhe autobiografia përbëjnë dy linjat në të cilat është ecur në vepër, të pandara siç duket nga shkrirja e jetës së autorit në profesionin të cilit i kushtoi dekada të tëra mbushur me veprimtari, në rolin e interpretuesit, krijuesit dhe studiuesit.

Parathënia, dhe në anglisht në skajin fundor të botimit, të jep një pasqyrë të përmbajtjes, ndarë në 21 artikuj-kapituj, të shkruar në kohë të ndryshme. Si më thelbësorët, veçohen, “Historiofestivalistika e folklorit shqiptar”, “Diaspora shqiptare” dhe “Mëkuar nga baltëmjalta Tiranë, 1940-1952”. I shumëshëtitur, pjesëmarrës në qindra veprimtari, autori nuk e ka patur të vështirë ta mbushë punimin me të dhëna dhe ilustrime fotografike.

“Horizonte etnokulturore” ka veçorinë e së njëzetës vepër, së finales, së autorit, tashmë në një moshë për të bërë bilancin e jetës.

Fondacioni ALSAR e zgjeron më tej me këtë vepër diapazonin e botimeve të tij, në dobi të kulturës sonë kombëtare.

Vjen botimi, “Kullat e sahatit në Shqipëri”

Ditë më parë doli nga shtypi botimi, “Kullat e sahatit në Shqipëri – historia dhe arkitektura”, i autorit Dritan Çoku. I botuar nga Fondacioni ALSAR, libri është një monografi për këtë gjini ndërtimore.

Ky studim monografik me mbi 400 faqe është i ndarë në katër kapituj, duke i trajtuar në çdo aspekt kullat e sahatit, historikun e tyre, ndërtimin, e çdo veçori tjetër. “Historia e kullave të sahatit dhe rrethanat e krijimit të tyre në qytetet shqiptare” është titulli i kapitullit të parë, shpjegues dhe i tematikës. Tipologjinë e kullave të sahatit në vendin tonë e trajton kapitulli i dytë. Dy kapitujt e tjerë janë, “Kullat e sahatit si krijime arkitektonike në lidhje me vendin ku u ndërtuan dhe si ndërtime me pajisje të veçanta” dhe “Kullat e sahatit në Shqipëri”. Kapitulli i fundit e trajton më vete çdo kullë sahati në qytetet apo lokalitetet shqiptare.

Për autorin dhe punën e tij studimore veçojmë një pjesëz nga parathënia e botimit: “Autori Dritan Çoku ka hyrë në thellësi e gjerësi të temës që ka marrë në studim. Ai me skrupulozitet ka studiuar pothuajse të gjitha të dhënat bibliografike për të gjitha kullat e sahatit në Shqipëri të autorëve vendas dhe të huaj…. Autori ka shkuar në çdo objekt, pranë çdo kulle sahati apo gjurmë të ndërtimit të saj, ku ka marrë dhe ka realizuar rilevimin e saj, duke e studiuar me imtësi të gjithë pamjen arkitektonike…. Nuk ka lënë asnjë hollësi të jashtme dhe të brendshme, deri në relievet dekorative të gdhendura në gurë, duke studiuar dhe kuptimin e simboleve të tyre.”
Shkruesi i parathënies e sheh botimin, pra, monografinë, si një dokument historik mjaft të vlefshëm dhe për problemet e ruajtjes, mbrojtjes, mirëmbajtjes, përforcimit, konservimit dhe restaurimit të kullave të sahatit në territorin shqiptar.

Prej hyrjes, pas parathënies, shkëpusim fjalinë e parë, e cila thotë se, “Kullat e sahatit, si një gjini ndërtimore me karakter publik, ngrihen në të gjitha trojet shqiptare gjatë Kohës së Re dhe asaj Moderne, duke u bërë dëshmi të qarta të periudhave të historisë së popullit shqiptar dhe kulturës sonë tradicionale ndërtimore në veçanti.”

Pavarësisht specifikës së tij, botimi është tërheqës, dhe duhet të jetë i tillë, për çdo lexues. “Kullat e sahatit në Shqipëri” është studim me shumë vlerë; botimi cilësor i Fondacionit ALSAR ia shton vlerën, ia vë më në pah!

soap 2 day