Category Page: Kulturore

Një libër rreth besimit, me biseda, aforizma dhe rrëfime

“Çdo akt adhurimi dhe lavdërimi, çdo kuptim që na hapet, është një rrugë. Këto rrugë na çojnë në oqeanet e Dijes Hyjnore, Urtësisë Hyjnore, Bukurisë Hyjnore. Vetëm adhurimi është i rëndësishëm. Ai është çelësi që ua jep shërbëtorëve të Allahut qëndrimin e tyre në Praninë e Hyjnisë.”

Fjalitë e mësipërme i përkasin librit, “Islami – Liria për të shërbyer”, dalë nga shtypi këto ditë së bashku me disa botime të tjera të Fondacionit ALSAR.

Temë qendrore e librit është Islami, për të cilin dhe mbi të cilin janë bisedat, aforizmat dhe rrëfimet faqe pas faqeje.

Autori, Shejh Muhamed Nazëm Adil el-Hakani, është i njohur për lexuesit përmes disa veprave të tij të përkthyera në shqip.

Botimi reflekton kujdesin e treguar nga ALSAR-i në përzgjedhjen e titujve, që çdo lexues të gjejë diçka të përshtatshme për të.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar liber besimi” alias=”postim-alsar-liber-besimi”]

Sheh dritën e botimit fjalori i homonimeve, vepër e tre autorëve

Botimi i radhës i Fondacionit ALSAR i përket fushës së gjuhësisë. “Fjalor i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe” botohet me autorësinë e tre emrave, Ali Jashari, Bahtijar Kryeziu dhe Olger Brame.

Fjalori pason një varg botimesh të Fondacionit ALSAR përgjatë këtij viti, dalluar mes tyre për specifikën e tij. Ai përbën një material mjaft të dobishëm në punën krijuese të njerëzve të penës, ndihmues për shkollarët, përkthyesit, etj.

Nën titullin “Fjalor i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe” pasqyrohet një shtresë e veçantë e leksikut të shqipes, pra, fjalë që janë të njëjta nga forma (përbërja tingullore), por të ndryshme nga përmbajtja (kuptimi leksikor). Sa për ilustrim, si shembull mund të sjellim fjalët botë, bartëse të kuptimeve, “rruzulli i tokës”, “baltë, deltinë”, “sëmundja e tokës”, apo qas në një përdorim me kuptimet “afroj, pranoj, pëlqej” dhe qas në një tjetër përdorim me kuptimet “largoj, përzë, dëboj”.

Ky fjalor përmban rreth 12 mijë fjalë homonime të renditura alfabetikisht në dyshe ose në vargje homonimike. Për çdo homonim jepet kuptimi apo kuptimet leksikore, ilustruar me shembuj përdorimi. Për të lehtësuar përdorimin e fjalorit, në fund të tij është dhënë dhe treguesi i njësive homonimike që përmban ai.

Një punë disavjeçare e autorëve Ali Jashari (Universiteti i Korçës), Bahtijar Kryeziu (Universiteti i Gjilanit, Kosovë) dhe Olger Brame (Universiteti i Korçës), fjalori i shtohet kolanës së pasur të botimeve shkencore të Fondacionit ALSAR.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar fjalori” alias=”postim-alsar-fjalori”]

ALSAR rikthen me një botim anastatik revistën e shqiptarëve të Amerikës, “Jeta muslimane shqiptare”

Botimeve anastatike të ALSAR-it sapo u është shtuar një titull i ri. “Jeta muslimane shqiptare” vjen si një tjetër fryt i përpjekjeve të pareshtura të fondacionit për të risjellë botime të mbuluara nga pluhuri i kohës dhe harresës.

Revista në fjalë gjallëroi jetën fetare dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës në mesin e shekullit të kaluar. Ajo u botua në Detroit nën prijësinë e Imam Vehbi Ismailit, autoritetit fetar me kontribut të paçmueshëm. Konceptuar dhe botuar në shqip dhe anglisht, revista ishte botim i Shoqërisë Muslimane Shqiptare.

E nxjerrë katër herë në vit, duke nisur nga 1949-ta e për gati dhjetë mote, “Jeta muslimane shqiptare”, ndonëse ka vendin e saj të merituar në historikun e shtypit periodik islam, edhe të shqiptarëve të mërguar, pak është patur në vëmendje, pak është cituar apo marrë në shqyrtim.

Në këtë harresë duhet të ketë ndikuar dhe fakti i pamundësisë së studiuesve për ta gjetur botimin periodik fetaro-kulturor. Fondacioni ALSAR pati kështu tërë arsyet për ta botuar atë çka kishte mundur të gjente.

Botimi anastatik i tre prej 32 numrave të revistës është një mundësi e mirë për të çmuar nivelin e një periodiku të tillë, për të parë larminë e tematikës, për të kuptuar sadopak nga jeta fetare islame e një bashkësie në mërgim.

“Jeta muslimane shqiptare” nuk pasuron vetëm bilancin botues të ALSAR-it, por dhe çdo bibliotekë! Lëvruesit sot të një publicistike të ngjashme kanë ç’të mësojnë prej saj nëpërmjet botimit anastatik.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar amerikes” alias=”postim-alsar-amerikes”]

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit të Turqisë (RTÜK) viziton Fondacionin ALSAR

Në ambientet e Fondacionit ALSAR është pritur për një vizitë nënkryetari i RTÜK-së, Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit të Turqisë, z. Orhan Karadaş.

Nën shoqërinë e pjesëtarëve të tjerë të një delegacioni, të ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në një konferencë të AMA-s, Autoritetit të Mediave Audiovizive, ai u prit nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Në bisedën e ngrohtë që e shoqëroi vizitën, miqve nga Turqia iu bë i njohur aktiviteti i gjerë i Fondacionit ALSAR, veprimtaria e tij humanitare, arsimore dhe kulturore në dobi të shoqërisë shqiptare.

Nënkryetari i RTÜK-së u njoh dhe me kontributin e Fondacionit ALSAR për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke, me përpjekjet në shfrytëzimin e mundësive për çuarjen më tej të tyre.

  1. Karadaş i shprehu mirënjohjen z. Gurra për pritjen miqësore dhe e falënderoi për tërë aktivitetin e Fondacionit ALSAR.

Zyrtari turk dhe shoqëruesit e tij e mbyllën vizitën me përshtypjet më të mira!

[rev_slider slidertitle=”postim alsar rtuk” alias=”postim-alsar-rtuk”]

Takime, bashkëbisedime dhe dhurata në vizitën në jug të ambasadorit turk në Tiranë dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR

Përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Murat Ahmet Yörük, vizitoi jugun e Shqipërisë në ditët e para të tetorit. Ai u shoqërua në këtë vizitë nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i përzgjedhur për kontributin disavjeçar të këtij enti joqeveritar në jug, për iniciativat e shumta humanitare dhe arsimore në ndihmë të komunitetit atje, më së shumti në Konispol dhe në Borsh.

Vizita e parë u krye në Konispol, ku bashkisë së qytetit iu dhurua një mjet transporti për bartjen e nxënësve të periferive për në shkollë. Dhurata, e propozuar nga Fondacioni ALSAR dhe e siguruar e re nga TİKA, u dorëzua nga ambasadori turk, z. Murat Ahmet Yörük.

Kryetari i bashkisë së Konispolit, z. Shuaip Beqiri, do t’u uronte fillimisht mirëseardhjen vizitorëve, për të falënderuar më pas shtetin turk, qytetin e Afjonit, të binjakëzuar me Konispolin, Ambasadën e Republikës së Turqisë, TİKA-n dhe Fondacionin ALSAR për ndihmën e vazhdueshme për atë zonë, për përkujdesin e pandërprerë për konispolasit.

Në bashkëbisedimin me mysafirët, ai shprehu dëshirën, i nxitur nga kërkesat e banorëve, që turqishtja të bëhet lëndë me zgjedhje në shkollën e Konispolit dhe që të mundësohet ardhja e një pedagogu nga Turqia.

Kryetarit të bashkisë iu dhuruan nga ambasadori turk dy vëllimet e botimit të ALSAR-it, “Qytetërimi osman”, ndërkohë që nga kryetari i Fondacionit ALSAR mori dhuratë një tjetër botim, “Historija e Tiranës”. Nga ana e tij, z. Shuaip Beqiri u dhuroi z. Murat Ahmet Yörük dhe z. Mehdi Gurra një punim artistik me vallen çame.

Vizita u bënë në një prej kopshteve për fëmijë të qytetit dhe në shkollën e mesme të bashkuar “Bido Sejko”, që prej kohësh e kanë ndier ndihmën e Fondacionit ALSAR, pajisur prej tij me orenditë dhe mjetet e nevojshme.

Këtu, si ndërshtënie, vlen të vihet përsëri në pah kontributi i ALSAR-it për Konispolin gjatë aktivitetit pesëvjeçar në jug, me renditjen e nismave dhe ndihmave të dhëna: (1) binjakëzimi me qytetin e Afjonit në vitin 2016, (2) sigurimi i pompave të ujit për qytetin, (3) si dhe për fshatin Shalës dhe zonat e banuara përreth, (4) dhurimi i një ambulance të pajisur me mjetet e nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale brenda saj, (5) dhurimi i një kamioni për pastrimin e qytetit, (6) dhe i dhjetë kazaneve të plehrave me logon e qytetit, (7) pajisja me orenditë dhe mjetet e duhura të kopshteve dhe shkollave, (8) hapja për pesë vite e kurseve të turqishtes pa pagesë, (9) sigurimi i 32 bursave për ndjekësit e studimeve në Turqi, (10) çuarja e nxënësve të qytetit në ekskursion në Turqi, (11) dhurimi i literaturës për intelektualët e qytetit, (12) shpërndarja e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë, (13) shpërndarja e mishit të kurbanit, dhe (14) dhe pagesa mujore si ndihmë për jetimët e qytetit.

Duke iu kthyer vizitës, një takim u krye në Sarandë me kryetarin e bashkisë, z. Adrian Gurma. Tema e bisedës u soll rreth forcimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave në turizëm dhe ekonomi, si dhe te gjetja e mundësive për të binjakëzuar Sarandën me qytete bregdetare në Turqi.

Dhuratë e ambasadorit turk për drejtuesin e pushtetit lokal në Sarandë, z. Gurma, ishte botimi “Qytetërimi osman”. Botime të ALSAR-it iu dhuruan prej kryetarit të fondacionit, z. Gurra.

Vizitë u bë në Borsh në shkollën “Qazim Pali”, e ndihmuar gjithashtu nga Fondacioni ALSAR. Në vizitën në kalanë dhe në xhaminë e vjetër të Borshit ra në sy nevoja për ndërhyrje restauruese. Z. Mehdi Gurra e rishprehu këmbënguljen në idenë që restaurimin e xhamisë ta marrin përsipër TİKA dhe Diyanet-i turk.

Kryefjalë në të gjitha takimet në jug qe falënderimi nga drejtuesit lokalë dhe të institucioneve shkollore për ndihmën e dhënë, nevoja për vazhdimin e dhënies së saj, dhe çuarja më tej e bashkëpunimit.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar takime” alias=”postim-alsar-takime”]

Certifikatë mirënjohjeje për ALSAR-in në Kongresin e 5-të Ndërkombëtar të Materialeve dhe Polimereve në Burdur të Turqisë

Fondacioni ALSAR u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje në ceremoninë e hapjes së Kongresit të 5-të Ndërkombëtar të Materialeve dhe Polimereve për mbështetjen e dhënë këtij aktiviteti shkencor.

Në mungesë të kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, në ceremoni për shkak të axhendës së ngjeshur, certifikatën e mirënjohjes e mori në emër të fondacionit doc. dr. Mustafa Karaboyacı, anëtar i trupës mësimdhënëse në fakultetin e Inxhinierisë Kimike të Universitetit “Süleyman Demirel”. Ai i përcolli komitetit organizator të kongresit përshëndetjet e kryetarit të Fondacionit ALSAR. Certifikata e mirënjohjes u dha në ceremoni nga prof. dr. Ayhan Oral, kryetar i komitetit organizator të kongresit.

Kongresi i 5-të Ndërkombëtar i Materialeve dhe Polimereve po i zhvillon punimet nga 29 shtatori në 1 tetor në Budur të Turqisë, me mikpritës Universitetin “Mehmet Akif Ersoy” dhe në bashkëpunim me një varg shoqatash, institucionesh dhe universitetesh, si me Shoqatën e Kimistëve në Turqi, Universitetin “18 Marsi” të Çanakalasë, TİKA-n, Universitetin e Tetovës, Universitetin e Prishtinës, Shoqatën e Kimistëve dhe Teknologëve të Maqedonisë, Shoqatën e Kërkimit të Materialeve të Maqedonisë, Shoqatën Kimike Tuniziane dhe Shoqatën Kimike të Pakistanit.

Ky kongres ka nisur të mbahet rregullisht prej vitit 2017, fillimisht në Ohër, e më pas në Durrës, Prishtinë dhe Tetovë.

Synim i kongresit është njohja e pjesëmarrësve me zhvillimet shkencore të fushës dhe shkëmbimi i ideve dhe përvojave akademike.

ALSAR-i, si mbështetës i veprimtarive akademike, ka kontribuar në organizimin dhe mbajtjen e këtij kongresi dhe në vitet e shkuara, i vlerësuar dhe më herët me certifikatë mirënjohjeje.

soap 2 day