Category Page: Kulturore

    VEPRIMTARI KULTURORE ME RASTIN E FESTËS SË PAVARËSISË

    Në një atmosferë festive është përkujtuar 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë sonë Kombëtare. Veprimtaria kulturore u zhvillua në sallën e konferencave të fondacionit ALSAR, e organizuar nga grupi i fëmijëve që frekuentojnë qendrën e kurseve të gjuhëve të huaja.

    Fëmijët gjatë performancës së tyre artistike në këtë veprimtari, prezantuan një program me materiale artistike e letrare të përzgjedhura, gjatë së cilës nxorrën në pah rëndësinë dhe vlerat e kësaj feste, kësaj dite të shënuar për të gjithë ne e cila ka qenë dhe mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar.

    Lutjet dhe urimet e të pranishmeve buronin nga thellësitë e zemrave: “Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe e ndriçoftë atë në rrugën drejt progresit e prosperitetit kombëtar”.

    ALSAR NË PANAIRIN E III-TË TË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE

    U zhvillua në Stamboll nga data 17 – 18 nëntor 2018 Panairi i III-të Ndërkombëtar i Organizatave të Shoqërisë Civile. Fondacioni “ALSAR” mori pjesë në këtë panair, krahas 170 organizatave nga 40 vende të ndryshme të botës.

    Çeljen e panairit e inauguruan përfaqësues të institucioneve turke, të cilët gjatë fjalëve të tyre përshëndetëse, vlerësuan rolin dhe rëndësinë e organizimit të tij, duke e konsideruar atë një ngjarje të rëndësishme, që prezanton aleancën e vlerave të organizatave e shoqerise civile kudo në botë, e cila synon krijimin e urave të bashkëpunimit, komunikimit e partneritetit ndërmjet sektorit publik dhe privat, jo vetëm brenda kufijve të një shteti por dhe ndërmjet popujve dhe shteteve.

    Ky panair bashkoi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të vendeve të ndryshme, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte midis tyre, për të shkëmbyer përvojat e tyre më të suksesshme institucionale, si dhe për të pasqyruar veprimtarite e këtyre organizatave dhe efektet e tyre në komunitetet dhe shtetet e tyre përkatëse.

    Në këtë kontekst, Fondacioni “ALSAR” prezantoi në stendën e tij përmes materialeve promovuese të natyrave audio-vizuale dhe të shkruar, programin dhe veprimtarinë e tij mirëbërëse me karakter arsimor, kulturor dhe humanitar në shërbim të shoqërisë shqiptare, si në drejtim të ruajtjes e promovimit të vlerave të traditës sonë kulturore e kombëtare, ashtu edhe në drejtim të përkujdesjes sociale ndaj shtresave në nevojë.

    ALSAR MERR PJESË NË KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE

    U zhvillua në qytetin e Canakkales në Turqi, nga data 15 – 16 nëntor 2018, Konferenca Shkencore Ndërkombetare me temë “Emigrimi dhe Shoqëria” organizuar nga Universiteti “18 mars”.

    Fondacioni “Alsar” mori pjesë në zhvillimin e punimeve të kësaj konference në kuadër të marrëveshjes së përbashkët të bashkëpunimit, dhe mbajti në të referatin me temë: “Emigrimi, fenomeni që kanos të ardhmen e Ballkanit”

    Gjatë kësaj trajtese u hodh dritë mbi fenomenin e emigrimit në rajonin e Ballkanit, një dukuri kjo që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, pasi të rinjtë e kanë më të lehtë të largohen dhe të rehatohen në një jetë më të mirë, në vend që të qëndrojnë në atdheun e tyre dhe të përpiqen e të luftojnë për ta ndryshuar atë.

    Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për zhvillimin tonë ekonomik dhe kohezionin social. Nëse nuk trajtohet në shkaqet dhe rrënjët e tij, ai mund të prodhojë një cikël të rrezikshëm vicioz që vështirë se mund të shpërthehet e të këputet.Janë këto disa nga mesazhet që u përçuan për të pranıshmıt me anë të këtıj referati. Punimet e kesaj konference u ndoqen me interes nga të pranishmit.

    JEHONA NË PRISHTINË E BOTIMEVE TË “ALSAR”-IT: PROMOVIM I “KALVARIT DIPLOMATIK…

    Kryeqyteti i Kosovës i ka patur për zemër kohët e fundit në veçanti botimet e Fondacionit “ALSAR”, me dy promovime të njëpasnjëshme brenda pak ditëve. Është folur në Prishtinë për dy botime krejt të veçanta, janë analizuar ato hollësisht, e u është dhënë zë në mjedisin e lexuesve të zgjedhur.
    Ditë më parë promovohej në Prishtinë botimi anastatik i revistës “Diturija”, këtë të enjte iu la vend promovimit të librit të diplomatit Shaban Murati, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës.”

    Si një përmbledhje artikujsh, analizash dhe këndvështrimesh diplomatike nga një njohës mjaft i mirë i diplomacisë, me një tematikë tepër aktuale për rrugën që po përshkon tani shteti i Kosovës, libri dhe promovimi i tij mblodhën në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës personalitete të jetës shoqërore dhe akademike. E çmuar ishte prania e autorit të librit, z. Shaban Murati, dhe e botuesit të tij, z. Mehdi Gurra.
    Drejtorit të Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, z. Beqir Ismaili, i takoi fjala e hapjes. Ai e cilësoi këtë botim si me vlerë të madhe shkencore, diplomatike dhe ndërkombëtare.
    Mjetet kosovare të informimit që e pasqyruan veprimtarinë i kushtuan një hapësirë të gjerë fjalës së mbajtur nga z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit “ALSAR”.
    Ato zgjodhën t’i përcjellin publikut vendas ca rreshta prej ligjërimit të tij gjatë promovimit, duke nënvizuar mes të tjerash se ai pati “fjalë të mëdha për autorin”:
    “Një shikim i hollë analitik, publicistik, ‘Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës’ është vëzhgim, kritikë e këshillë njëkohësisht prej një publicisti tepër aktiv, të mirënjohur dhe në Kosovë…

    “Bagazhi i pasur diplomatik e ka lejuar z. Shaban Murati të shkruajë në vite për hallet dhe rropatjet e diplomacisë kosovare, të pikasë atë që nuk është bërë mirë, të japë mendim të kualifikuar, e të kujtojë se ç’përparësi duhen ndjekur…
    “Diplomati me shumë emër i thotë Prishtinës se rendi i prioriteteve diplomatike dhe strategjike të Kosovës është i thjeshtë, se prioriteti i prioriteteve është njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia…”
    Fjalë të ngjashme thanë dhe folësit më tej në vijim të aktivitetit promovues.
    “Me kapacitetin e një eksperti të marrëdhënieve ndërkombëtare, të një diplomati me një përvojë thuajse 50-vjeçare në politikën e jashtme, z. Murati ka prekur temat më kruciale, temat që kanë të bëjnë me sfidën e forcimit dhe afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës,” u shpreh profesor Ibrahim Gashi.
    Një tjetër folës, z. Memli Krasniqi, e vuri theksin te largpamësia e autorit të veprës, pikasur, sipas tij, në analizën e bërë deklaratave të shtetarëve amerikanë në prag të Rambujesë.
    Vetë autori i botimit të “ALSAR”-it, librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, do të thoshte teksa u drejtohej të pranishmëve, siç raporton media kosovare:
    “Për mua është një emocion i veçantë të jem në mjedisin tuaj, sepse Kosova ka qenë për mua një dashuri profesionale. Nuk ka njeri në Tiranë që ka shkruar për Kosovën më shumë se unë… Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje e artikujve, por unë kam dhënë portretin diplomatik të problematikës së Kosovës….”
    Kjo veprimtari promovuese në Prishtinë ishte një vlerësim si për entin botues, Fondacionin “ALSAR”, posaçërisht për z. Mehdi Gurra, ashtu dhe për autorin e librit, z. Shaban Murati. Të dy këta morën përgëzimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve për këtë ndihmesë intelektuale për ardhmëninë e shtetit të Kosovës.

    FONDACIONI“ALSAR” DHURON LIBRA NË SHKODËR

    Në prag të hapjes së Panairit të Librit në kryeqytet, Fondacioni “ALSAR” ka shpërndarë qindra libra në qytetin e Shkodrës.
    “Libri, dhurata më e çmuar” është një prej shumë projekteve të fondacionit të vënë në jetë me sukses. Ndalesa e radhës ishte këtë herë në Bibliotekën e Shkodrës “Marin Barleti”, përzgjedhur nga Fondacioni “ALSAR”.
    Bibliotekës “Marin Barleti” i janë dhuruar 650 libra. Këto libra do t’u shërbejnë kryesisht studentëve, dhe janë më së shumti të karakterit historik, ku nuk mungojnë dhe botimet më të fundit. Biblioteka e qytetit dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë menduar që studentët të marrin nga dhjetë tituj librash prej botimeve të Fondacionit “ALSAR”.
    Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast, një fjalë para të rinjve mbajti drejtori i bibliotekës, Gjovalin Çuni, i cili u kërkoi atyre të afrohen sa më tepër me bibliotekën e t’i jepen leximit. Për pjesëmarrësit foli dhe kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra.
    Drejtori i bibliotekës “Marin Barleti” shprehur nevojën e institucionit që drejton për një skaner profesional, duke marrë premtimin e z. Gurra, në emër të “ALSAR”-it, për të bërë ç’është e mundur për ta siguruar atë.
    Një ndihmesë të posaçme në zhvillimin e tërë aktivitetit dha znj. Sidita Halluni.
    Vizita pati dhe te Biblioteka Françeskane dhe Jezuitët e Shkodrës, ku u dhuruan po ashtu libra.
    Një ndalesë tjetër qe në “Radio Jehona”, nga drejtuesit e së cilës u kërkua ndihmë për rinovimin e aparaturës së këtij kanali radiofonik. Drejtuesi i Fondacionit “ALSAR” shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në këtë aspekt.

    FONDACIONI “ALSAR” NË MBËSHTETJE TË VEPRIMTARIVE AKADEMIKE

    U mbajt në qytetin e Durrësit Konferenca e 2-të Ndërkombëtare me titull ‘’Materialet dhe Polimerët’’ në datat 9-12 Nëntor 2018. Konferenca u organizua nga Universiteti i Çanakkalesë,Shoqëria e Kimistëve (Turqi), Universiteti i Ohajos(SHBA), Agjensia e Koordinimit dhe e Bashkëpunimit të Kryeministrisë(Turqi), Shoqëria Kimistëve tuniziane(Tunizi), Universiteti Politeknik i Tiranës (Shqipëri), Universiteti i Tuzlës (Bosnjë-Hercegovinë), Shoqëria e Kimistëve në Maqedoni, Universiteti “Nënë Tereza”(Maqedoni) etj. Profesore e akademikë më në zë të institucioneve pjesëmarrëse në kete konference prezantuan punimet e tyre me te reja kerkimore shkencore te cilat u ndoqen me interest e veçante nga te pranishmit.

    Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR në kuadër të mbështetjes së aktiviteteve kulturore e akademike ishte një ndër organizatorët dhe sponsorizuesit e këtij aktiviteti, ku në perfundim te kesaj konference u vlerësua edhe me një çertifikatë mirënjohje.