Category Page: Uncategorized

    Në 107-vjetorin e ngadhënjimit në Çanakala, e përkujtojmë me nderim sakrificën sublime të martirëve

    Si çdo vit, Turqia përkujton më 18 mars epopenë e shkruar me gjakun e dëshmorëve në 1915-n, Fitoren e Çanakalasë. Ajo ngjarje historike e përmasave madhore i preu rrugën tragjedisë, u dha goditje fatale pushtuesve, dhe i dha zemër e kurajë luftës për ekzistencë të një populli heroik.

    Në Ditën e Dëshmorëve, e tërë Turqia përulet para kujtimit të të flijuarve, para heroizmit të atyre që dhanë gjakun për të mbrojtur vatanin dhe për të mos e lënë atë në dorë të pushtuesve.

    Mbi guximin, trimërinë dhe vetmohimin e të rënëve, mes të cilëve dhe shumë shqiptarë, u shkrua një faqe e lavdishme historie, e martirizimit për hir të lirisë!

    Përkujtimi i këtij përvjetori ka marrë një tjetër përmasë me inaugurimin e urës gjigande të Çanakalasë, dëshmi e rritjes së Turqisë, ndikimi i së cilës për paqen rajonale dhe globale po bëhet çdo ditë e më tepër jetik.

    Fondacioni ALSAR i përkujton me nderim të rënët e luftës së Çanakalasë, e përkujton me nderim gjakun e atyre që e shkruan atë epope!

    Lutje për të rënët, nderim për ta!

    Projekt trajnimi për imamët, cikël leksionesh në Koplik

    Fondacioni Alsar, imamet

    Fondacioni ALSAR dhe Diyanet-i, institucioni përgjegjës në Turqi për çështjet fetare, realizuan një projekt të përbashkët disaditor, i cili synonte të ndihmonte në përgatitjen sa më të mirë të imamëve.

    Projekti i trajnimit u realizua në Koplik, me pjesëmarrjen e 25 imamëve.

    Lektorë nga Turqia mbajtën gjatë gjashtë ditëve, më 20-26 nëntor, një cikël prej 30 leksionesh.

    Te imamët pjesëmarrës në kursin e trajnimit u përcollën njohuri nga fusha teologjike mbi rolin dhe misionin e udhëheqësit fetar në ditët e sotme.

    Leksionet u ndoqën me interes nga të pranishmit, ndjekës të vëmendshëm të dijeve të dhëna prej lektorëve.

    Të kënaqur nga trajnimi, imamët e vlerësuan së tepërmi projektin, si një bashkëpunim të frytshëm mes Fondacionit ALSAR dhe Diyanet-it.

    [rev_slider slidertitle=”postim alsar imamet” alias=”postim-alsar-imamet”]

    ALSAR shpreh ngushëllimet për viktimat nga zjarri në spitalin e Tetovës

    Mbrëmje tragjike në Tetovë!

    Zjarri i rënë mbrëmjen e së mërkurës në spitalin e Tetovës ku trajtohen të sëmurët me covid u ka marrë jetën dhjetëra vetëve, mes tyre të shtruar për t’u kuruar dhe, nga sa raportohet, personel shëndetësor.

    Fatkeqësia, lajmi i hidhur, ka prekur çdo zemër njerëzore, çdo shqiptar. Pikëllimi është i pranishëm në Tetovë dhe kudo.

    Duke i përcjellë lajmet me shqetësim dhe me dhimbje, Fondacioni ALSAR shpreh ngushëllimet për jetët e humbura në ngjarjen tragjike.

    Zoti i mëshiroftë ata të cilët kanë ndërruar jetë, ua lehtësoftë dhimbjen të afërmve të tyre dhe u dhëntë durim!

    Të mbijetuarit paçin shërim të shpejtë!

    Ngushëllime të gjithë tetovarëve!

    ALSAR ndan dhimbjen me të prekurit nga fatkeqësia dhe lutet për shpirtrat e viktimave!

    Turqia në luftë me flakët, lutjet tona janë për të

    Turqia ne flake

    Vendi mik, partneri ynë strategjik, është prej ditësh nën pushtetin e flakëve. Zjarre masive kanë shpërthyer prej më pak se një jave në një pjesë të territorit të Turqisë, përgjithësisht përgjatë bregdetit të Egjeut dhe Mesdheut. Nga Manavgati në Marmaris, flakët kanë djegur shtëpi e kanë marrë jetë njerëzish. Një tragjedi e përmasave të jashtëzakonshme!

    Pamje gati apokaliptike, rrëqethëse, përcillen nga mjetet e informimit: pyje, banesa e jetë të shkatërruara, përcëlluar nga zjarre të përhapura me furi prej të nxehtit ekstrem dhe erës së fortë.

    Lufta me flakët është sfida e këtyre ditëve për popullin turk dhe qeverinë turke. Pjesa më e madhe e tyre janë vënë nën kontroll, ndërkohë që vazhdon e papushimtë përpjekja për të shuar çdo vatër zjarri. Presidenti Erdoğan ka premtuar mbështetje të plotë për të dëmtuarit, rindërtim të gjithçkaje të djegur, pyllëzim në tokat dhe pyjet e bëra shkrumb.

    Dhe në këtë moment fatkeqësie, dhimbjeje e sfide për Turqinë mike, dhimbje ndiejmë edhe ne. Shpirtërisht jemi me popullin turk, e ndajmë me të dhimbjen dhe vuajtjen. Njëkohësisht, jemi të bindur se një popull i tillë i mësuar me sakrifica do t’ia dalë dhe kësaj sfide.

    Fondacioni “ALSAR” shpreh ngushëllimet e sinqerta për jetët e humbura dhe dëmet materiale, duke u lutur që ky makth disaditor për Turqinë të marrë fund sa më parë.

    Lutjet tona janë për Turqinë, për popullin turk!

    Fondacioni ALSAR uron: Gëzuar Kurban Bajramin!

    Vëllezër e motra!

    Muslimanë e muslimane!

    Shqiptarë ngado që jeni!

    Falë Zotit, ia mbërritën ditës së Kurban Bajramit dhe për këtë vit. Pasi e përjetuam me gëzim të madh Fitër Bajramin muaj më parë, ka ardhur tani momenti të festojmë Kurban Bajramin. Pasi e privuam veten në shenjë sakrifice për një muaj në Ramazan nga një pjesë e përditshmërisë sonë, tashmë është koha për një tjetër sakrificë.

    Blatimi i një kurbani Zotit të Gjithësisë është shprehje e sakrificës sonë, është shprehje e përuljes dhe bindjes së njeriut para urdhrit të të Plotfuqishmit. Lart, tek Ai, ngjitet veç devotshmëria jonë; pjesa lëndore, mishi i kurbanit, u ndahet njerëzve të gjakut, të afërmve dhe të papasurve, e me të ushqehemi dhe vetë në këtë ditë të gëzuar.

    Sakrifica dhe solidariteti, dy tipare të larta të karakterit njerëzor, shpërfaqen fuqishëm në këtë ditë. Ne bëjmë kurban për Zotin dhe u gjendemi pranë njerëzve rreth nesh, shprehim përkushtimin tonë ndaj Zotit dhe mirësinë ndaj mjedisit tonë shoqëror.

    Kurban Bajrami është festa jonë, festa e çdo besimtari musliman në rruzullin tokësor. Gëzuar festën!
    Urimi i Fondacionit ALSAR është për çdokënd. E bashkë me urimin, si për çdo Kurban Bajram, Fondacioni ALSAR troket e sjell gëzim në mijëra dyer shqiptarësh me aktivitetin e tij të pandërprerë dhe në këto ditë feste.

    Zoti na e pranoftë kurbanin!

    Na dhëntë Ai mbarësi, begati dhe jetë të devotshme! Qoftë i kënaqur me ne!

    Zoti i bekoftë dhe i begatoftë shqiptarët!

    Në xhaminë e restauruar nga TİKA, ALSAR organizon këndim mevludi dhe bën lutje për dëshmorët e 15 korrikut

    Në një ditë të shënuar për popullin turk, në përkujtimin e përvjetorit të pestë të përpjekjes së dështuar për grusht shteti, Fondacioni ALSAR organizoi këndim Kur’ani dhe mevludi, dhe bërje lutjesh për të rënët dëshmorë në mbrojtje të rendit kushtetues.

    Veprimtaria u zhvillua në Xhaminë e Kalasë së Prezës, të restauruar në vitin 2014 nga TİKA dhe të inauguruar një vit më pas nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

    Mes dhjetëra të pranishmëve ishin banorë të zonës, besimtarë, dashamirës të Fondacionit ALSAR dhe njerëz që e duan miqësinë shqiptaro-turke.

    Të pranishmit dëgjuan këndim Kur’ani, këndim mevludi, e të gjithë bashkë u lutën në fund për shpirtrat e të rënëve dëshmorë për Turqinë më 15 korrik 2016.

    Një lutje e veçantë iu kushtua presidentit Erdoğan, që Zoti ta ruajë, ta mbrojë nga e keqja, e t’i japë fuqi në udhëheqjen e popullit turk. Lutje pati për të dy popujt miq, turk dhe shqiptar, për ummetin islam në përgjithësi, për mbarësi e ditë më të mira.

    Aktiviteti i pasdites pasoi ceremoninë përkujtimore të zhvilluar po sot, në orët e paradites, në memorialin me emrat e dëshmorëve turq të 15 korrikut, në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

    [rev_slider slidertitle=”postim blog xhamia e tiranes” alias=”postim-blog-malesi-e-madhe-1″]