Category Page: Kulturore

Promovohet botimi i ALSAR-it për Toptanasit

Në sallën “Balsha” të hotelit “Tirana International” u zhvillua ceremonia e paraqitjes së librit, “Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit”, të autorit Ajten Toptani, dhe një botim i Fondacionit ALSAR.

Mes një pjesëmarrjeje të gjerë, në promovim u fol për tematikën dhe vlerat e librit, e u shprehën gjithashtu konsideratat për Botimet ALSAR.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili tha:

“Të nderuar pjesëmarrës në paraqitjen e këtij botimi!

Mbledhja në këtë sallë për promovimin e një libri është mbyllje ideale e një viti për një fondacion si ky i yni që gjithnjë e më shumë po u kushton vëmendje dhe energji botimeve të reja.

Po aq ideal besoj se duhet të jetë ky moment tubimi dhe për autorin, përmbledhësin e një historie në tekst dhe fotografi për familjen së cilës i përket dhe që i ka kushtuar një kohë të gjatë përgatitjes së kësaj vepre.

Ndërsa jashtë kësaj godine sheshi qendror i kryeqytetit është shndërruar në arenën e një feste disajavore, përjetimi ynë festiv këtu është i një lloji tjetër, shumë më i koncentruar, më i veçantë, më domethënës e më në kontrast.

Të pranishëm të nderuar!

Prej tre dekadash e më shumë jetojmë në një tjetër epokë; kohë e mjaftueshme për të parë dhe kuptuar se nga po shkon rrjedha e ngjarjeve. Për njerëzit e iluzioneve, e ardhmja nuk premton aq sa duhet, në mos asgjë. Kush ka patur shpresa të mëdha deri sot ka provuar sigurisht dhe zhgënjim. Ndërkaq, nostalgjikët kanë shumë për të kujtuar me mall. Përtej kësaj, optimizmi duhet të mbizotërojë dhe kur mjedisi ushqen ndrydhje.

E pra, të tëra këto i sintetizon vepra për të cilën jemi mbledhur, fryt i ndjesive dhe përgjegjësive që autorit ia kanë dhënë rrënjët familjare. Përkatësinë e tij individuale ai e ka kthyer në frymëzim për të shkruar për, ‘Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit’.

Tiranas të vjetër dhe të rinj!

Toptanasit zënë një vend të rëndësishëm në historinë e qytetit, të kryeqytetit, dhe të vendit, protagonistë në zhvillimet e njohura në jetën shqiptare. Ata kanë parë ditë të mira dhe të këqija, kanë provuar kulme dhe perëndime, kanë patur paqe dhe trazime, kanë njohur respektin dhe përbuzjen, begatinë dhe vuajtjen. Sado të panatyrshme të kenë qenë rëniet në sytë e tyre, ato nuk kanë bërë përjashtim nga natyrshmëria e kësaj bote, se vazhdimësia e gjithçkaje johyjnore është e përkohshme, asnjëherë e përhershme.

Botimi i paraqitur sot përpara jush dhe publikut të gjerë jua bën të njohur historinë e kësaj familjeje në kornizën e asaj që autori e ka zgjedhur dhe për titull, ‘Për Toptanasit që di’. Z. Ajten Toptani i ka dhënë punimit formën e një përmbledhjeje të përgjithshme historike dhe të një albumi fotografik, duke u mbështetur në burime historike dhe duke marrë për referencë trajtesa historianësh. Aty ku i ka lejuar liri vetes, si në ilustrimet e tij, imagjinatën e ka patur të skajshme, herë-herë më tepër se të guximshme.

Zonja dhe zotërinj!

Qëllimi i botimeve të ALSAR-it është që t’i shërbejnë kulturës sonë kombëtare, pasurimit të trashëgimisë kulturore dhe forcimit të identitetit kombëtar. Mbi 300 tituj të botuar në vite flasin për ndjekjen konsekuente të këtij objektivi.

Ky botim gjithashtu është në këtë suazë, i nxjerrë nga shtypi prej nesh edhe pse pikëpamjet e autorit nuk përkojnë në raste të caktuara me tonat. Por ja që përkime absolute nuk mund të ketë!

Botuesi ka respektuar qëndrimet e autorit, pa u përfshirë në përcaktime për përmbajtjen që do ta kishin cenuar bashkëpunimin.

Nga kjo familje kanë dalë figura të rëndësishme për të cilët historianët kanë mendime të ndryshme. Prandaj ne, si botues, nuk kemi dashur të përqendrohemi në një emër apo në një tjetër, duke pranuar, në të kundërt, të botojmë një histori përmbledhëse të toptanasve.

Ne mendojmë se është e nevojshme mbajtja e një simpoziumi, ku historianët të flasin mbi kontributet e çdo personaliteti të spikatur të familjes Toptani në historinë e Shqipërisë. Kjo vepër e sapobotuar le të shërbejë si nxitje për një simpozium të tillë.

Me këtë rast, lejomëni ta falënderoj në veçanti zotin Thomas Frashëri, i cili u bë shkas për njohjen tonë me autorin e librit dhe për botimin e tij. Një falënderim është gjithashtu për autorin, si dhe për të gjithë ju që na respektuat me pjesëmarrjen tuaj. Uroj që ky promovim t’ju japë kënaqësinë e duhur!”

Pas tij e mori fjalën historiani Beqir Meta, i ndjekur nga z. Thomas Frashëri, që u ndal në një recensë të botimit.

Në promovim përshëndeti prof. dr. Ferid Hudhri. Të pranishmëve iu drejtua dhe autori i librit, z. Ajten Toptani.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar toptanasit 1″ alias=”postim-alsar-toptanasit-1″]

Ekskursion në Berat me ndjekësit e kurseve të gjuhës turke pranë Fondacionit ALSAR

E enjtja ishte ditë ekskursioni për një grup djem e vajzash të kurseve të gjuhës turke pranë Fondacionit ALSAR; një vizitë në qytetin mijëvjeçar të Beratit, si destinacion i vizitueshëm në çdo kohë e stinë, me trashëgiminë e pasur historike, kulturore dhe arkitekturore.

Ekskursioni u organizua në kuadër të veprimtarive kulturore të fondacionit të kushtuara njohjes së historisë dhe bukurive të vendit tonë, të qyteteve tona. Një traditë e konsoliduar vit pas viti.

Ndjekësit e kurseve të gjuhës turke vizituan objekte muzeore gjatë qëndrimit disaorësh, urën antike, u ngjitën në kala, panë Osumin që e përshkon në mes qytetin dhe u mahnitën me arkitekturën e shtëpive njëra mbi tjetrën.

Pasuritë monumentale, xhamitë, muzetë, lanë mbresa te ekskursionistët gjatë shëtitjes së Beratit.

Vizitën e bëri më të këndshme dreka e përbashkët me shoqëruesit në ekskursion, mësuesit e kurseve dhe pjesëtarët e personelit të Fondacionit ALSAR.

Në kthimin për në kryeqytet u bë dhe një vizitë e shkurtër në Belsh.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ekskursion” alias=”postim-alsar-dhurate-libra-1-1-1″]

“Për Toptanasit që di”, botimi ynë i ri

Botimet ALSAR i japin publikut një punim të gjerë për një familje me shumë emër në Tiranë, përgatitur nga një pasardhës i saj, me ambicien për t’ia ruajtur asaj historinë dhe për t’ia vënë në pah shkëlqimin e dikurshëm.

“Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit”, me autor Ajten Toptanin, u botua nga Fondacioni ALSAR me synimin e qartë për t’ia bërë të njohur lexuesit historinë e një dere të madhe, prej nga dolën shumë figura që lanë gjurmë në të shkuarën e vendit.

Interesi botues i Fondacionit ALSAR ishte për historinë e tërë të toptanasve, pa dashur dhe pa kërkuar fokusim në një personazh të veçantë. Botuesi mund të mos ketë pikëpamje të njëjtë aty-këtu me autorin, madje nuk ndan të njëjtin mendim dhe të njëjtën optikë për trajtesa të veçanta, si në shkrim dhe në ilustrim, por respekton autorësinë dhe ia lë lexuesit gjykimin, i bindur në qëllimin fisnik të botimit.

* * *

“Për Toptanasit që di” ka tiparet e një historiku dhe të një albumi, me informacion të shumtë për familjen Toptani. Njohja me historinë e saj të çon dhe te të kuptuarit e trashëgimisë së Tiranës, qoftë historike, etnografike, kulturore dhe njerëzore.

Jetëshkrimet, qindra ilustrime, tabelat gjenealogjike, janë në funksion të përshkrimit sa më të detajuar të kësaj familjeje.

Punimi përbëhet nga dy pjesë, e para me tekste dhe ilustrime, dhe e dyta krejtësisht me ilustrime, ku përfshihen fotografi, grafika dhe vizatime. Botimin e mbyll një tabelë e plotë gjenealogjike e familjes Toptani.

Në rreth 700 faqe, punimi është kontribut me shumë vlerë për njohjen e familjes Toptani dhe rolin e saj në historinë e vendit tonë, për mbajtjen gjallë të kujtimit të së shkuarës së toptanasve.

Dhe siç shkruan autori në epilog, i kufizuar në rrethin e familjes mbiemrin e së cilës mban, “Duhet të ruajmë traditën dhe historinë e përpjekjeve të asaj pjese të kontributit tonë familjar për vendin dhe civilizimin e tij….”

[rev_slider slidertitle=”postim alsar dhurate libra 1 1″ alias=”postim-alsar-dhurate-libra-1-1″]

Botimet ALSAR nxjerrin nga shtypi veprën “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit”

Vepra monumentale e të ndjerit Alija Izetbegoviq botohet për herë të parë nga Fondacioni ALSAR, ndërsa është botuar dhe më herët në shqip.

E mirënjohur, e shumëlexuar dhe e shumëdiskutuar, frymëzuese gjithashtu, vepra meritonte një botim të ri, të realizuar nga Botimet ALSAR.

Intelektual, mendimtar dhe shtetar boshnjak i klasit të parë, Alija Izetbegoviq nuk është prej një kohe të gjatë mes njerëzve të kësaj bote, por çfarë ai la si trashëgimi të tij mbetet ende e gjallë dhe e freskët mes nesh si dëshmi e një kapaciteti dhe veprimtarie të jashtëzakonshme.

“Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit” ishte sipërmarrje e madhe e Izetbegoviqit, si shumë të tjera në jetën e vet, e shkruar me patosin e një muslimani – një arritje e rendit të parë, siç janë shprehur vlerësuesit e veprës.

Vepra bart një qasje të gjithanshme mbi Islamin, si orvatje për ta bërë atë të kuptueshëm e të prekshëm.

“Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” është vepër e cila fton pandërprerë për lexim, për meditim dhe reflektim, e si e tillë ofrohet rishtas nga Botimet ALSAR.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar dhurate libra 1″ alias=”postim-alsar-dhurate-libra-1″]

U paraqitën në Stamboll dy libra të autorëve shqiptarë në turqisht, organizim në bashkëpunim me ALSAR-in, mbështetësin e njërit prej botimeve

Në ditët e fundit të nëntorit, në fundjavën e kaluar, u mbajt në Stamboll aktiviteti për paraqitjen e librave të përkthyer në turqisht të dy autorëve shqiptarë, Besnik Mustafaj dhe Zyhdi Dervishi.

Rumeli Türkleri Vakfı dhe Fondacioni ALSAR e organizuan në bashkëpunim aktivitetin, nën përkujdesin e Ministrisë së Kulturës së Turqisë dhe të Konsullatës së Shqipërisë në Stamboll. Pjesëmarrja ishte e gjerë në paraqitjen e librave, të bërë në një atmosferë tepër të ngrohtë.

Aktivitetin e nderoi prania e përfaqësuesve të 36 shoqatave dhe fondacioneve, si edhe e konsulles shqiptare, znj. Erinda Boçi. I pranishëm ishte gjithashtu kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Fjalën e hapjes e mbajti z. Kemal Baltepe, drejtues i institucionit mikpritës si bashkorganizues i veprimtarisë promovuese. Ai u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, autorëve të librave dhe të gjithë të ftuarve.

Autorët, të cilët e morën fjalën pas darkës së shtruar për nder të aktivitetit, bënë një paraqitje të veprës së tyre të përkthyer në turqisht.

Shkrimtari, ish-diplomati dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, foli për librin e tij të parë në gjuhën turke, “Shqipëria midis krimeve dhe mirazheve”. Sociologu Zyhdi Dervishi i bëri një pasqyrë punimit të tij të përkthyer në gjuhën turke e të botuar me mbështetjen e Fondacionit ALSAR, “Nëpër degëzime të kulturës shqiptare”.

Të pranishmit do të kishin mundësi më pas t’i merrnin dy botimet me nënshkrimet e autorëve. Pyetje dhe përgjigje do të vijonin për rreth tre orë. Në fund do të shpërndaheshin dhe dhuratat e rastit, më posaçërisht për autorët e librave.

Dy botimet në turqisht e njohin lexuesin turk me realitetin dhe kulturën shqiptare, rrëfyer dhe përshkruar nga autorë të tillë si Besnik Mustafaj dhe Zyhdi Dervishi.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar librat stamboll 1 1″ alias=”postim-alsar-jetimet-lojra-1-1″]

Hapet Panairi i Librit në kryeqytet, Botimet ALSAR i paraqiten lexuesit me këndin e tyre

Në Pallatin e Kongreseve nisi të mërkurën, më 16 nëntor, Panairi i Librit, ngjarja më e shumëpritur kulturore e vitit, e njohur për interesin e madh që ngjall te lexuesit dhe te thjesht vizitorët.

Pjesëmarrës në panairin e 2022-shit në Tiranë janë rreth 100 botues nga trevat shqipfolëse, ofrues botimesh në zhanre të ndryshme letrare.

Tepër denjësisht paraqiten dhe Botimet ALSAR, me një hapësirë më vete dhe me mbi 90 tituj librash. Mes tyre janë libra të dalë së fundi nga shtypi, por dhe të tjerë, botime më të hershme.

I gjerë është diapazoni tematikor i librave në stendën e botimeve të ALSAR-it, ku kërkuesi i titujve të veçantë do të gjejë patjetër diçka për të parë dhe për të marrë.

Panairi i Librit në kryeqytet do të qëndrojë i hapur deri të dielën, më 20 nëntor.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar panairi” alias=”postim-alsar-malesi-e-madhe-sherbimet-funerale-1″]

soap 2 day