Category Page: Kulturore

Libër për shejhulislamin e fundit të Perandorisë Osmane, Mustafa Sabri dhe veprimtaria e tij në Botimet ALSAR

“Shejhu El-Islam Mustafa Sabri” është titulli i librit më të ri të nxjerrë nga Botimet ALSAR. Ai i kushtohet një figure me emër, të spikatur në fundin e Perandorisë Osmane.

Autori, Teufik Islam Jahja, një njohës nga afër i tij, i dedikon këto fjalë në libër, të cilat ia përmbledhin dimensionet e lartësisë: “Dijetari me famë botërore, me mendje të jashtëzakonshme, kujtesë të rrallë, ide të shndritshme, i pakrahasueshëm me bashkohësit e tij, profesori i dijetarëve të brezit të tij, krenaria e shtetit dhe Kalifatit Islam Osman dhe më i madhi i dijetarëve të tij përgjatë historisë së tij.”

Libri, ndonëse një biografi e shkurtër e shejhulislamit osman, përmban të dhëna të bollshme për jetën, veprimtarinë dhe peripecitë e tij.

Lexuesi do të gjejë mes fakteve për të dhe një rrëfim në pak paragrafë për pritjen me ngrohtësi të madhe të shejhulislamit në Shqipëri prej Ismail Qemalit dhe njerëzve që ndeshi gjatë qëndrimit të shkurtër.

Botimi përmban në fletët në mbarim dhe një biografi të shkurtër të autorit, shqiptarit nga Gjakova.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar mustafa sabri” alias=”postim-alsar-kursi-gjuhes-kukes-1″]

Studiuesi nga Palestina mban ligjëratë në Fondacionin ALSAR

Në ambientet e Fondacionit ALSAR u prit dhe mbajti ligjëratë një mysafir nga Palestina, z. Abdurrezak Metani, arkeolog dhe studiues, autor i shumë librave dhe artikujve.

Ai shoqërohej nga drejtues të shoqatës Burak, me qendër në Stamboll, z. Adem Yenihayat dhe z. Nihat Mörgül.

Të pranishmëve të shumtë në sallën e konferencave u foli së pari kryetari i shoqatës Burak, z. Adem Yenihayat.

Pas tij e mori fjalën studiuesi Abdurrezak Metani, i cili i njohu dëgjuesit me trashëgiminë islame në Palestinë dhe Jordani.

Hapësirë të gjerë në ligjëratën e tij zuri Xhamia el-Aksa, mbi të cilën foli gjerë e gjatë.

Fjala e studiuesit, plot me të dhëna interesante dhe me një shpjegim lehtësisht të kuptueshëm, u dëgjua me kureshtje dhe vëmendje.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar studiusi palestina alsar 1 1 1 1 1″ alias=”postim-alsar-botimet-alsar-1-1-1-1-1″]

Ambasadori turk në Tiranë viziton Fondacionin ALSAR

Fondacioni ALSAR pati këtë të enjte një mysafir të veçantë, ambasadorin e Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Tayyar Kağan Atay.

Përfaqësuesin më të lartë diplomatik të Turqisë në Tiranë e priti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Ai i uroi mirëseardhjen mikut të çmuar dhe vijoi më pas me të një bisedë të ngrohtë dhe të frytshme. Z. Gurra e njohu ambasadorin e ri turk, në detyrë prej pak muajsh, me aktivitetin e gjerë të Fondacionit ALSAR.

Veprimtaritë humanitare, arsimore dhe kulturore, të shtrira në shumë vite dhe anembanë vendit e përtej kufijve, iu bënë të ditur shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Turqisë. Theks të veçantë në fjalën e z. Mehdi Gurra patën projektet për të ardhmen, për zgjerimin e ndikimit të Fondacionit ALSAR në shoqërinë shqiptare nëpërmjet kontributeve të qenësishme në fushat ku ai ushtron aktivitetin, në përmbushje të vizionit dhe misionit udhëheqës.

Kryetari i Fondacionit ALSAR falënderoi me këtë rast partnerët turq në Turqi dhe në Europë për bashkëpunimet e suksesshme në projekte të përbashkëta.

Temë e rëndësishme e bisedës ishin dhe marrëdhëniet shqiptaro-turke, forcimi i tyre përmes rrugëve dhe angazhimeve të reja.

Tayyar Kağan Atay shprehu gëzimin për arritjet e fondacionit dhe uroi punë të mbarë, duke e bërë të qartë vullnetin për mbështetjen me vendosmëri dhe më tej të aktivitetit të ALSAR-it.

Ambasadori i pa nga afër ambientet e brendshme, për t’u ndalur në hapësirën më të re të fondacionit, kushtuar Botimeve ALSAR. Ai u njoh me tituj librash dhe me ambiciet e drejtuesve për t’i bërë sa më të kërkuara botimet e ALSAR-it.

Përshëndetjet dhe urimet e shkëmbyera reciprokisht mbyllën vizitën e ambasadorit të Turqisë në Fondacionin ALSAR.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar botimet alsar 1 1 1″ alias=”postim-alsar-botimet-alsar-1-1-1″]

Tre botime të reja me të njëjtën autorësi

Botimet ALSAR nxorën nga shtypi tre libra të autorit turk Adem Özköse, “I burgosuri”, “Udhëtimi” dhe “Autostop në xhennet”.

Gazetar për nga profesioni, ndjekës nga afër i krizave dhe luftërave në rajone të ndryshme, me përvoja dhe dramatike në punën e tij, Adem Özköse i ka shkruar këto libra për të rrëfyer realitetet ku është gjendur, historitë që ka dëgjuar, për të përcjellë përjetimet në udhëtimet e shumta nëpër botë.

“Ajo që kaluam pas rrëmbimit,” shkruan ai, për shembull, tek ‘I burgosuri’, ku tregon peripecitë e tij në Siri dekadën e shkuar, “në burgun e nëndheshëm, na njohu me një botë tërësisht të re. Ishte një botë e atillë që shpesh na bënte të turpëroheshim nga të qenit njeri…. E vetmja mënyrë për të mbijetuar në një burg nëntokësor ku mbizotëronte e keqja dhe tirania, ishte përqafimi i besimit dhe shpresës.”

Me botë të pasur shpirtërore, ai shkon përtej gazetarit në libër, duke përçuar emocione të vazhdueshme dhe duke krijuar ndjesi të ndryshme te lexuesi.

“Esir”, “Sefer” dhe “Cennete otostop”, në titujt origjinalë në turqisht, janë mes librave më të shitur të autorit, të sjellë mirë në shqip.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar botimet alsar 1 1″ alias=”postim-alsar-botimet-alsar-1-1″]

Një libër i ri në raft nga Botimet ALSAR, vepër e një autori boshnjak

“NJOHJA, VLERA E PARË E ISLAMIT – kontribut teorisë së njohjes në Islam”, shkruar nga Reshid Hafizoviq, është nxjerrë në shqip nga Botimet ALSAR.

Vepra e sapodalë nga shtypi është një përkthim nga boshnjakishtja, me temë, siç sugjeron titulli, Islamin dhe teorinë e njohjes në të.

Autori, me një aktivitet të gjerë akademik në Sarajevë e më gjerë, ka shkruar një sërë veprash, i dalluar gjithashtu dhe për përkthime nga disa gjuhë të huaja.

Ky botim i ri paraqet interes për tematikën, duke e njohur në të njëjtën kohë lexuesin me një autor boshnjak të ditëve tona.

Botimet ALSAR do të vijojnë t’i paraqesin publikut autorë dhe tituj të rinj, në kërkim gjithmonë të së veçantës.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar botimet alsar 1″ alias=”postim-alsar-botimet-alsar-1″]

Botimet ALSAR sjellin një vepër dhe një autor të veçantë, “Studim mbi teorinë e të drejtës islame”, nga Sava Pasha

Sapo e ka parë dritën e botimit vepra, “Studim mbi teorinë e të drejtës islame”, e autorit Sava Pasha.

Botimet ALSAR kanë nxjerrë nga shtypi një vepër dyvëllimëshe dhe në dy gjuhë, në shqip dhe në origjinalin në frëngjisht. Ajo paraqet interes në shumë aspekte, si trajtesë e një teme me kompleksitet dhe ndjeshmëri të lartë, me një qasje historike, filozofike dhe jurisprudenciale, shkruar nga pozitat e një të krishteri.

Autori, Sava Pasha, sipas asaj çka shkruhet në jetëshkrimin për të dedikuar këtij botimi, dhe që mund të lexohet në nisje të vëllimit të parë, është një personalitet shumëdimensional, hera-herës edhe paradoksal; doktor në mjekësi, diplomat, nëpunës i lartë osman, i krishterë ortodoks për nga besimi, një intelektual i kalibrit ndërkombëtar me bindje pozitiviste dhe kozmopolite të karakterizuara nga përkatësi të shumëfishta kulturore, franceze, helene, turko-osmane dhe shqiptare.

Ndjenja e sinqertë e përkatësisë ndaj universit perandorak osman, ndjesia e gjallë e të qenit epirot shqiptar, respekti i thellë ndaj fesë islame dhe institucioneve të saj, sikundër dhe dashuria e pashtershme për kulturën dhe letrat greke, por edhe për kozmopolitizmin që zinte fill në një atashim të pathyeshëm ndaj gjuhës dhe qytetërimit francez, e karakterizuan të gjithë veprimtarinë dhe jetën e paklasifikueshme të shqiptarit Sava Pasha, e cila mbetet pak e studiuar në Turqi, përciptazi e trajtuar në Greqi dhe në Francë, dhe ende tërësisht e panjohur në Shqipëri.

Përtej temës, pra, qëllim i botimit është dhe njohja e publikut me një personalitet pak të njohur, në mos aspak, edhe pse me origjinë shqiptare. Dhe sa ka të bëjë me përmbajtjen, ndonëse Sava Pasha shprehet vetë se vepra është shkruar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, me dëshirën për ta bërë të kuptueshëm për të gjithë, ajo mund të mos jetë lehtësisht e përthithshme nga çdo lexues.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar botimet alsar” alias=”postim-alsar-ndihme-alsar-botimet”]

soap 2 day